“Fitimi i shtetësisë me origjinë”, shqiptarëve të Kosovës u lehtësohet marrja e shtetësisë shqiptare

“Fitimi i shtetësisë me origjinë”, duket se ua ka lehtësuar shqiptarëve të Kosovës rrugën për marrjen e shtetësisë shqiptare.

Lebibe Kosova nga Prizreni, është një prej personave të shumtë që ka aplikuar për marrjen e shtetësisë shqiptare.

Ajo, thotë se bashkë me nënën dhe tre motrat kanë aplikuar pasi gjyshen e ka pasur nga Kruma e Hasit. Ajo dhe nëna kanë fituar shtetësinë ndërsa në pritje janë edhe dy motrat e saj.

Rezart Hoxha, specialist pranë Zyrës së Gjendjes Civile të Bashkisë Kukës, thotë se 127 qytetarë të Kosovës, më së shumti të zonave kufitare me Kukësin, Hasin dhe Tropojën, që kanë vërtetuar origjinën e tyre shqiptare me lidhje gjaku deri në tre breza, kanë fituar shtetësinë shqiptare gjatë vitit 2022, ndërkohë që numri aplikuesve është edhe për këtë vit është i lartë.

Ligji Nr. 113/2020 në ndryshim nga ligji i mëparshëm nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare”, ka zgjeruar spektrin e mënyrave me anë të të cilave fitohet shtetësia shqiptare.

Sipas ligjit në fuqi shtetësia shqiptare mund të fitohet me anë të lindjes, origjinës, lindjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, natyralizim dhe birësim.

Fitimi i shtetësisë me origjinë neni 6 është i mundur me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë deri në tri shkallë (tre breza) e kërkuesit me të paralindurin.