Presidenti i 39-të i SHBA me probleme shëndetësore
Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, Jimmy Carter është nën mbikqyerjen e mjekëve në shtëpinë e tij në Plains të Xhorxhias ku do të vazhdojë trajtimin për problemet shëndetësore.
Qendra Carter e njohur si shoqata bamirëse i ish-presidentit Carter deklaroi këtë të dielë se familja e tij kërkon privatësi në këto momente, pasi ish-presidenti 98 vjeçar prej kohësh është trajtuar për probleme të ndryshme shëndetësore.
Qendra Carter deklaroi gjithashtu se Carter “vendosi ti vazhdonte trajtimet në shtëpinë e tij në vend që të vazhdonte t’iu nënshtrohej ndërhyrjeve të tjera mjekësore. Ai ka mbështetjen e plotë të familjes dhe ekipit të tij mjekësor.”
Ndonëse ka bërë thirrje për privatësi, familja e tij është mirënjohëse për shumë admirues të ish-presidentit që kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen e tij shëndetësore.
98 vjeçari Carter është presidenti amerikan me jetën më të gjatë në historinë e krerëve të SHBA. Carter është i vetmi president amerikan nga Xhorxhia. Ai ka shërbyer në postin e Presidentit nga viti 1977 deri në vitin 1981.
Pas largimit nga detyra, Jimmy Carter dhe bashkëshortja e tij Rosalynn hapën Qendrën Carter dhe për punën e tij në këtë organizatë ai fitoi çmimin Nobel të Paqes. Ai gjithashtu njihet për punën e tij me organizatën “Habitat for Humanity”, e cila ndërton shtëpi për njerëzit në nevojë.
Presidenti Biden i ka dërguar një mesazh lutjesh ish- presidentit Carter dhe familjes së tij.
Ai është ndeshur me një numër problemesh shëndetësore në vitet e fundit, përfshirë një operacion për trajtimin e një thyerje të legenit në vitin 2019 dhe melanomën në vitin 2015 që ishte përhapur në mëlçi dhe tru.
