SHBA shpenzoi 440 mijë dollarë për të rrëzuar balonën që kushtonte12 dollarë
Një grup entuziastësh amatorë të balonave në Illinois mund ta kenë zgjidhur misterin e një prej objekteve të panjohura fluturuese të rrëzuara nga Ushtria amerikane javën e kaluar, një sage që kishte tronditur kombin, shkruan “The Guardian” të shtunën.
“Brigada e Balonave” në Illinois ka thënë se një nga mjetet e saj “u zhduk në veprim” mbi Alaskë më 11 shkurt, në të njëjtën ditë që një avion amerikan F-22 rrëzoi një balonë të paidentifikuar jo shumë larg mbi territorin kanadez Yukon.
Në një postim në blog, grupi nuk i lidhi dy ngjarjet. Por trajektorja e balonës përpara regjistrimit të fundit sugjeron një lidhje mes saj dhe objektit që e rrëzoi Ushtria amerikane.
Nëse kjo është e vërtetë, do të thotë se ushtria amerikane ka shpenzuar një raketë që kushton 439 mijë për ta rrëzuar një balonë të padëmshme me vlerë vetëm 12 dollarë.
Kjo balonë mbi Yukon ishte e dyta nga tre që u rrëzuan nga Ushtria amerikane me urdhër të presidentit Joe Biden në tre ditë radhazi fundjavën e kaluar – fillimisht pasi një objekt i veçantë, që dyshohet se është një balonë spiune kineze, u rrëzua mbi Atlantik më 4 shkurt.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se tre objektet e rrëzuara pas shkatërrimit të balonës “spiune” kineze, mund të ishin komerciale ose të lidhura me kërkimet për klimën.
