Rusia akuzohet për krime lufte, SHBA akuzojnë trupat ruse për vrasjen e civilëve
Shtetet e bashkuara të amerikës akuzuan se forcat ruse janë përgjegjëse për krime lufte në Ukrainë. Zv.presidentja Kamala Harris tha në Mynih se ky përfundim erdhi pas një analize nga Departamenti Amerikan që evidentoi se trupat ruse kanë vrarë e përdhunuar civilë. Nga ana tjetër shefi i NATO-s bëri thirrje për zgjerimin e aleancës në përgjigje të rrezikut nga Rusia dhe Kina.
Uashingtoni akuzoi Rusinë se ka kryer krime kundër njerëzimit në Ukrainë. Akuzat janë bazuar në një analizë ligjore nga Departamenti Amerikan i Shtetit ndërsa gjatë fjalimit në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Nënpresidentja Kamala Harris paralajmëroi se përgjegjësit do të vihen para drejtësisë.
"Në rastin e veprimeve të Rusisë në Ukrainë, ne kemi shqyrtuar provat, ne i njohim standardet ligjore dhe nuk ka dyshim: këto janë krime kundër njerëzimit’".
Administrata amerikane beson se këto fakte do të vënë në lëvizje gjykatat për të vënë para drejtësisë përgjegjësit dhe do të shtojë sanksionet e ndërkombëtarëve ndaj Rusisë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në Mynih se e sheh të arsyeshme zgjerimin e aleancës, ku përvec kërcënimit rus, nuk përjashtoi as atë kinez.
“Kremlini dëshiron një Evropë ndryshe, një Evropë ku Rusia kontrollon fqinjët. Ne gjithashtu e dimë se Pekini po vëzhgon nga afër për të parë çmimin që po paguan Rusia apo shpërblimin që po merr për agresionin e saj. Ajo që po ndodh sot në Evropë mund të ndodhë nesër në Azi,” tha ai.
Finlanda dhe Suedia janë pranë anëtarësimit në Aleancën veriatllantike, teksa dhe Ukraina ka shprehur aspiratat e saj për të qenë pjesë e aleancës.