Charles kurorëzohet mbret më 6 maj, monarku kërkoi që muzika e ceremonisë të jetë ortodokse greke
Në 6 maj kur do të zhvillohet kurorëzimi i Mbretit Charles i III në Westminster Abbey do të luhen 12 pjesë muzikore duke përfshirë edhe atë ortodokse greke.
Mediat britanike bëjnë të ditur se gjithçka është përgatitur prej gjashtë komisionesh orkestrale dhe pesë komisionesh korale, duke përfshirë një himn të ri kurorëzimi nga Andrew Lloyd Webber.
“Stile të ndryshme muzikore dhe interpretuesish ndërthurin traditën, trashëgiminë dhe ceremoninë me zërat e rinj muzikorë të sotëm, duke reflektuar dashurinë dhe mbështetjen e përjetshme të Mbretit për muzikën dhe artin do të prezantohen atë ditë” tha Pallati Mbretëror në një deklaratë për mediet.
Mësohet se ishte Charles që kërkoi që muzika ortodokse greke, duhet të këndohet nga kori gjatë kurorëzimit në nderim të babait të tij, Princit Philip, i cili lindi në ishullin grek të Korfuzit.
Një nga seksionet liturgjike të ceremonisë do të kryhet gjithashtu në Uells për të pasqyruar marrëdhënien dhe lidhjen e gjatë dhe të thellë të Charles me Uellsin.
Muzika e kompozitorëve klasikë duke përfshirë George Frideric Handel, Edward Elgar, Hubert Parry dhe Ralph Vaughan Williams, disa prej të cilëve janë paraqitur historikisht në shërbimet ceremoniale për 400 vjet, do të përfshihet në program.
