Berisha: Rama s'ka shans të pengojë krijimin e komisionit, provokim nëse e bën

Sali Berisha deklaroi se kryeministri Rama nuk ka asnjë shans të pengojë ngritjen e komisionit hetimor. Ndërkohë protesta e datës 3 mars, sipas Berishës, ka në fokus lëvizjen kundër Ramës dhe jo çështjen e vulës.

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha thotë se kryeministri Rama nuk ka asnjë shans të pengojë ngritjen e një Komisioni Hetimor për çështjen "McGonigal".

Nëse kjo gjë ndodh, sipas kreut të selisë blu, do të konsiderohet si provokim.

"Edi Rama, nuk ka shans, të pengojë të drejtën kushtetuese, të parlamentit shqiptar për të krijuar komisione. Nëse ky, beson në këtë, provokon në vend destabilizim të plotë. Unë u them qytetarëve shqiptarë, që kurrë në histori, as në diktaturë, as pas diktature, nuk ka ndodhur që byroja e parlamentit të anulojë ligjet.Nuk ka, as byroja politike e Enver Hoxhës nuk anulonte ligjet. 

Anulimi i ligjit ka vetëm procedurë ligjore, parlamentare.Një grup banditësh pa asnjë moral, thonë se byroja anuloi ligjin e komisioneve hetimore, jashtë çdo imagjinate. Ligji anulohet vetëm me ligj të parlamentit dhe kurrë me vullnet të dikujt tjetër. Banditizmi politik, shpërfillja ndaj vullnetit të qytetarëve, ndaj Kushtetutës, këtu tejkalon edhe Korenë e Veriut. Se edhe diktatura e zbatonte procedurën në tërësi.

Por nuk është kurrë kompetencë e byrosë së parlamentit. Kjo tregon se verbëria, tmerri dhe paniku që ka Edi Rama nga aktet që ka kryer, e shtyjnë në çdo veprim. Ka humbur mendjen dhe kërkon si mi të shpëtojë prapa çdo lloj absurditeti. Të fshihet".

 

Protesta kombëtare e radhës më 3 mars përkon me ditën kur Gjykata e Apelit do të vendosë zyrtarisht se cilit grupim do ti jepet vula dhe logoja e Partisë Demokratike.

Nësë nuk e merr dhe KQZ nuk e regjistron, çfarë do të bëjë Sali Berisha?

"Protestën e kemi për Edi Ramën. Nuk mund të imagjinohet që një protestë gjigante mbarëpopullore siç do të jetë protesta e 3 marsit të merret me gjykatësit. Ne gjithçka do të bëjmë kundër Edi Ramës."

Kryeministrin Edi Rama e paralajmëroi se kohët e qetësisë kanë mbaruar.

"Kush tha se do të qëndrojmë urtë e butë, as tani, as atëherë. Edi Rama ka punë me ne, ja them këtu publikisht."

Protestat paqësore për Berishën ishin madhështore, pasi parim sipas tij është tejçimi i mesazhit se qytetarët po ngrihen kundër Ramës dhe jo përdorimi i dhunës.

"Parimi jonë është: Jo dhunë. Ne besojmë se revolucioni jonë paqësor fiton."

Kryedemokrati një urim e kishte edhe për 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

"Pavarësia e Kosovës shënon ditën më të rëndësishme në historinë e lirisë së shqiptarëve."