Meta kujton 2 marsin: Nuk më shkarkuan dot si president, më 3 mars le të gjëmojë më fort populli

Përmes një postimi në Facebook, kreu i Partisë së Lirisë, ilir Meta shkruan se një vit më parë Rilindja humbi betejën e saj të paturp për të shkarkuar Presidentin e Republikës në Gjykatën Kushtetuese.  

Ai thekson se sot e kësaj dite nuk ka një reagim nga SPAK se ç'bëhet me denoncimin e Presidentit të Republikës një vit më parë kur po ky Kuvend i "Rilindjes" donte ta shkarkonte atë.

Meta: Një vit më parë "Rilindja" humbi betejën e saj të paturp për të shkarkuar Presidentin e Republikës në Gjykatën Kushtetuese. "Rilindja" në këtë mënyrë i kishte humbur të gjitha betejat e saj me Presidentin e Republikës edhe në Komisionin e Venecias. Ndërkohë edhe sot e kësaj dite nuk ka një reagim nga SPAK se ç'bëhet me denoncimin e Presidentit të Republikës një vit më parë kur po ky Kuvend i "Rilindjes" që shihni sot falsifikoi firmen e ish-Kryetarit të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese kundër Presidentit.

Falenderoj të gjithë ekipin tim gjatë detyrës si President i Republikës, në veçanti të gjithë qytetarët për përkrahjen e tyre dhe sidomos popullin e 2 Marsit që u ngrit në këmbë në mbrojtje të Kushtetutës. Në 3 Mars le të gjëmojë më fort zëri i popullit në mbrojtje të demokracisë, më i vendosur se kurrë për të realizuar Ndryshimin e Madh që po afron!