Pol i Tretë? Shehi marrëveshje me Patozin për “14 Majin”: Në opozitë, por me një kusht për PD-në
Dashamir Shehi dhe Astrit Patozi njoftuan koalicionin Aleanca e Re, që do të dalë me kandidatë më vete për Këshillin Bashkiak të Tiranës. Ata paralajmëruan se nuk do të mbështesin kandidatin demokrat nëse fraksionet brenda PD-së nuk bashkohen për zgjedhjet lokale.
Opozita tashmë nuk do të ketë më vetëm ndarjen mes demokratëve të përfaqësuar nga Sali Berisha dhe atyre në krah të Enkelejd Alibeajt. Dashamir Shehi i LZHK dhe Astrit Patozi i Bindjes Demokratike së bashku me disa organizata kanë themeluar koalicionin, me të cilin synojnë të dalin me kandidatë për këshillat bashkiakë.
“Ne jemi të hapur për parti të reja. Besojmë se do jetë fillimi i një lëvizje që do të vijë duke u zgjeruar. Njerëzit kanë të drejtë që të mendojnë ndryshe dhe mbase këtu do të shohin një shpresë dhe një frymë tjetër. Nëse PD do të vendose 2 apo 3 kandidatë, dëshira jonë është që të dilet me një kandidat. Ne jemi munduar që të gjejmë një formula bashkëpunimi", u shpreh Shehi.
Shehi dhe Patozi bënë të ditur edhe se ku ndahen nga Meta e Berisha.
"Dëshira të largojmë Edi Ramën dhe të kemi një kandidat për ballë kandidatit socialist. Ne s’kemi një pikë përfundimtare. Ne nuk mund të pranojmë më që dy njerëz të drejtojnë Shqipërinë. Nuk pranojmë më marrëveshjen e 2008 mes Berishës dhe Ramës.”, pohoi Dashamir Shehi.
“Me zotin Berisha dhe zotin Meta na ndan një humnerë e gjerë. Unë kam pasur të shkuarën time në PD, por kjo nuk do të thotë asgjë sepse politika është dinamike. Unë shoh se ka ardhur PD në idetë tona dhe nuk kemi shkuar ne tek PD”, theksoi Patozi.
Megjithatë Aleanca e Re nuk do të ketë kandidat për kryetar bashkie, dhe për këtë kishin një kush për dy palët e selisë blu në rast se mbështesin emrin përfaqësues të PD.
"Ka ardhur dita që Shqipëria të qeveriste ndryshe. Nëse ato nuk bashkohen, ne do kemi kandidatët tonë. Në nuk hyjmë në fushatë të dëmtojmë njeri. Jemi në atë pikë që nëse opozita dërgon 2 ose 3 ne do futemi në garë", tha Shehi.
Megjithatë, duket se e djathta do të qartësojë lëvizjet në datën 3 mars, kur Gjykata e Apelit do të vendosë se cili nga fraksionet brenda selisë blu do të ketë të drejtën e vulës e më tej në datën 7 kur KQZ, do të vendosë se cili nga palët do të paraqesë kandidatët zyrtarë për votimet e 14 majit.
