Shtrenjtohet bulmeti/ Konsumatorët: Janë të papërballueshme, të ketë kontrolle për çmimet

Konsumatorët nuk e përballojnë dot rritjen e çmimeve të bulmetit. Ka prej tyre që djathin e gjalpin i kanë eleminuar nga tryeza. Ata kërkojnë që institucionet shtetërore të kryejnë kontrolle jo vetëm për çmimet por edhe cilësinë.

Qëkur çmimet e bulmetit janë rritur pragun e dyqanit të Beharit e kalojnë më pak blerës.

"Muajt e parë ka rënë shumë, por prap faleminderit me kaq," tha ai.

Shitës prej 20 vitesh, ai thotë se një shtrenjtim tjetër i nënprodukteve të qumështit do t`i largonte edhe ata pak klientë të mbetur.

"Shumë ka rënë, 50 lekë gjizë merr," tha ai.

Disa kompani kanë njoftuar se pas datës 15 shkurt do të rrisin nënproduktet e qumështit të deles e dhisë.

Djathi që aktualisht kushton 1 mijë lekë por pas mesit të këtij muaji mund të shkojë në 1 mijë e 400 lekë.

Gjalpi i deles e dhisë nga 1 mijë pritet të shkojë deri në 1 mijë e 500 apo 1 mijë e 600 kilogrami.

Nënproduktet e qumështit të lopës edhe pse këtë herë nuk do të pësojnë ndryshime mbeten të shtrenjta.

Një kilogram djathë shkon deri në 700 lekë ndërsa gjalpi varjon nga 7 deri në 1 mijë e 500 lekë.

"Do marrim dhe do të hamë nga pak. Ndonjëherë e shikojmë dhe se blejmë fare. Ndonjë ditë hamë trahana jo bylmet.

Varfëri e madhe," thonë ata.

Çmimi nuk është shqetësimi i vetëm.
Të pakënaqur janë edhe me cilësinë e bulmetit.

"Gjalpi vjen i përzier. Djathi pas dy ditësh del… me niseshte," tha ai.

Ndaj kërkojnë që institucionet të mos qëndrojnë duarkryq por të dalin në terren.
"Të ketë kontroll më shumë," tha ajo.

Prej gati një viti, nga nisja e luftës në Ukrainë, shqiptarët po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve.