Kryeministri i Bavarisë “shpëton” Ramën nga opozita në Kuvend

Në një kohë që parlamenti pritet të përfshihet nga debatet e forta mes mazhorancës dhe opozitës, pasi kjo e fundit kërkon jo vetëm dorëheqjen, por që dhe të dalë para Kuvendit dhe të sqarojë rolin e tij në atë që opozita e cilëson si skandali “McGonigal”, kryeministri Edi Rama edhe në seancën plenare të sotme nuk do të jetë i pranishëm.

Kjo pasi në orë 17:00 kur është parashikuar protesta e opozitës por dhe nisja e seancës plenare, kreu i Qeverisë do të presë në zyrën e tij Kryeministrin e Bavarisë Markus Söder i cili zhvillon vizitë zyrtare në Shqipëri.

Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrit, në përfundim të takimit dy kryeministrat do të mbajnë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp, ku mund të ketë dhe ndonjë koment edhe lidhur me zhvillimet që dpo të prodhojë Kuvendi.

“Përshëndetje, Në orën 17:00 do të zhvillohet konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Bavarisë, Markus Söder i cili zhvillon vizitë zyrtare në Shqipëri. Konferenca do të mbahet te COD, në Kryeministri”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Kryeministrisë.

Ndërkaq, pas këtij takimi, Rama nuk do të shkojë në parlament, por do të niset drejt Rinasit ku do të fluturojë për një vizitë në Dubai.