"Programi për Tiranën do bëhet duke dëgjuar njerëzit në terren", Këlliçi vijon turin e takimeve

Presioni dhe gjobat e policisë bashkiake ishin ankesat e tregtarëve në Njësinë 11 në kryeqytet, që ia adresuan kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi.

"Një herë shesim, një herë nuk shesim. Na vjen policia na i merr rrobat. Përditë dhe gjoba po, na marrin rrobat.

Sa veta kanë ardhur sot? Gjithë ditën më kanë ardhur vetëm 3 veta. Kam shitur vetëm 3 palë çorape. Këtu është bërë katastrofë. Nuk ka më njerëz. Duhet një dorë e fortë.

E kam hapur që në 08:00 dhe asnjë lekë s'kam fituar," thanë qytetarët.

Pasi dëgjoi shqetësimet e tregtarëve, kandidati demokrat u shpreh se ndryshimi për Tiranën më 14 maj do të vijë me ndihmën e njerëzve të thjeshtë.

"Unë vetë fitoren nuk e arrij dot pa ju. Më duhet ndihma juaj. Janë tre muaj që ndajnë historinë jo vetëm të Tiranës po të gjtihë Shqipërisë," tha ai.

Turi i dëgjesës së kandidatit të PD për Tiranën, Belind Këlliçi synon dëgjimin e sa më shumë qytetarëve me qëllim përgatitjen e programit që do të përfshijë zgjidhjen e problemeve në çdo lagje.