Vdes lideri e fundit komuniste në Gjermani, udhëhoqi vendin pas rënies së Murit të Berlinit
Hans Modrow, lideri i fundit komunist i Gjermanisë Lindore ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare. Partia e Majtë njoftoi përmes Twitterit se Modrow vdiq në orët e para të së shtunës.
Modrow mori udhëheqjen e Gjermanisë Lindore pak kohë pas rënies së Murit të Berlinit dhe më vonë ftoi në qeveri forcat opozitare. Në atë kohë pavarësisht rezistencës edhe brenda forcës së tij politike, ribashkimi i Gjermanisë nuk u mund të ndalej.
“I gjithë kursi paqësor i vendosjes së unitetit gjerman ishte pikërisht arritja e tij e veçantë. Kjo do të mbetet trashëgimia e tij politike”, thuhet në deklaratën e forcës politike që ai drejtori.
Gjatë 16 vjetëve si shef komunist i partisë në Dresden, duke nisur nga viti 1973, Modrow krijoi një reputacion si figurë antiestablishment. Ai refuzoi të merrte përfitimet e partisë dhe jetoi në një banesë normale. Më 1989 – disa ditë pasi ra Muri i Berlinit – u bë kryeministër.
Në detyrë ai pasoi Egon Krenz, që udhëhiqte partinë në pushtet në një linjë të ashpër.
Pavarësisht protestave pro-demokracisë, komunistët fillimisht kishin kundërshtuar negociatat për ribashkim.
Megjithatë, në shkurt të vitit 1990, Modrow bëri thirrje për bisedime me Gjermaninë Perëndimore drejt “unitetit të atdheut” që do të çonin drejt një shteti të përbashkët, të qeverisur nga një Parlament në Berlin.
Partia e Modrow doli e treta në zgjedhjet e para të lira në Gjermaninë Lindore. Ai u bë anëtar i Parlamentit të përbashkët dhe ishte deputet deri më 1994. Nga viti 1999 deri më 2004, ai ka qenë anëtar i Parlamentit Evropian.
