Mbi 28 mijë të vdekur në Turqi e Siri, situata dramatike me të bllokuarit nën rrënoja

Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri pas tërmetit të së hënës ka arritur në mbi 28 mijë.

Vetëm në Turqi janë të paktën 25 mijë persona që kanë humbur jetën.

Por situata është edhe më dramatike. Edhe pse ekipet e shpëtimit kanë punuar në 24 orë për të shpëtuar sa më shumë persona që kanë mbetur nën rrënojë, ende ka një numër të lartë të familjeve që qëndrojnë nën blloqet e betonit.

Madje OKB ka dhënë një tjetër njoftim sa i përket tragjedisë. Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri mund të dyfishohet.

Duke folur në SkyNews në Adana të Turqisë, Martin Griffiths, tha se ai pret që do të regjistrohen dhjetëra mijëra vdekje të tjera.

 “Unë mendoj se është e vështirë të vlerësohet saktësisht pasi duhet të futemi nën rrënoja, por jam i sigurt se do të dyfishohet ose më shumë”, tha Griffiths.

“Kjo është e frikshme. Kjo është natyra që godet mbrapsht në një mënyrë vërtet të ashpër. Është thellësisht tronditëse… ideja që këto male me rrënoja ende mbajnë njerëz, disa prej tyre ende gjallë”.