Harrohet Shënmria/ “Zhduket” Bashkia, banorët në Kurbin e shtrojnë vetë rrugën: S’kemi as shkollë e as Qendër Shëndetësore

Banorët e fshatit Shënmëri në Kurbin kanë nisur duke e shtruar rrugën e fshatit vetë. Ata thonë se janë lënë në harresë nga Bashkia dhe institucionet ndërsa në këto kushte janë detyruar që të investojnë vetë. Banorët u shprehën se fshati është boshatisur në masë, pasi atje nuk ka as shkollë e as Qendër Shëndetësore.

Kjo është rruga që lidh fshatin Shënmëri të Kurbinit me Mamurrasin.

Ky segment rrugor me gjatësi 6 kilometër është pothuajse i pakalueshëm nga automjetet e vogla, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes.

Në mungesë të vëmendjes nga pushteti vendor dhe qëndror, banorët e Shënmërisë janë bërë bashkë, duke kontribuar financiarisht dhe punuar vetë që kjo rrugë të behët e kalueshme.

Në këtë zonë ka probleme dhe me ujin e pijshëm, energjinë elektrike, si dhe mungon shkolla dhe Qedra Shëndetësore, duke vështirësuar jetesën e banorëve.

Banorët: “Fshati Shënmëri është i braktisur, pa shkollë, pa infermjeri, pa rrugë, pa ujë dhe dritat janë ato që kanë qen para 40 vitesh. Ka 30 vjet që këtu nuk ka vënë dorë njeri, as e majtjë, as e djathtë. Ne s'na hyjnë në punë partitë. Ne duam rrugën, ujë, drita dhe mirëqenien e fshatit.

Po investojnë të gjithë banorët e fshatit. Këtu vijnë vetëm për vota.

Askush s’e ka vënë ujin në zjarr për këtë punë.

Jemi të rrethuar nga gurore dhe nuk na sjellin çakull për rrugën”.

Mungesa e elementeve bazë të jetesës, ka bërë që fshati Shënmëri të braktiset masivisht, ndërsa dhe ata pak banorë që kanë ngelur janë gati të largohen.

Banorët: “Nga 50 familje që jetonin, tani 30 kanë ngelur, janë larguar nga vështirësitë. S’kanë ku jetojnë”.

Deri 5 vitë më parë në fshatin Shënmri të Kurbinit jetonin rreth 50 familje, ndërsa sot në këtë zonë që ndodhet 6 km larg qendrës urbane, nuk kanë ngelur më shumë se 20 familje.