Gati për shitje, nënë e bir iu gjenden 400 doza droge në shtëpi, arrestohen në Elbasan

Policia e Elbasanit bën me dije se ka finalizuar operacionin “Connection”, ku si pasojë ka vënë në pranga dy shtetas.

Policia bën me dije se bëhet fjalë për nënë e bir të cilëve iu gjetën në banesë rreth 1.5 kilogram lëndë narkotike e dyshuar si kanabis sativa dhe e ndarë në 400 doza, të gatshme për shitje.

Njoftimi i Policisë Elbasan

Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar "Connection”.

Mbanin në banesë, lëndë narkotike me qëllim shitjen, në sasi dhe në doza, arrestohen në flagrancë 2 shtetas (nënë e bir).

Sekuestrohen 400 doza të lëndës narkotike kanabis, 1.5 kg të kësaj lënde dhe 3 celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Elbasan, si rezultat i punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Connection”.

Si rezultat i këtij operacioni, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit F. E., 31 vjeç dhe R. I., 48 vjeçe (nënë e bir), të dy banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit në banesën e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë gjetën 400 doza të lëndës narkotike kanabis dhe 1.5 kg të kësaj lënde, të cilat mbaheshin nga të arrestuarit, me qëllim shitjen. Dozat dhe sasia e lëndës narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 celularë.

Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.