Rruga “Tiranë-Elbasan” çon Gjiknurin në SPAK: Vlera e kontratës u dyfishua si pasojë e abuzimeve

Ish-ministri i infrastrukturës Damian Gjiknuri dëshmoi në SPAK në lidhje me abuzimet në tenderin e rrugës Tiranë-Elbasan. Ai u thirr nga hetuesit në cilësinë e denoncuesit pas auditit që urdhëroi për abuzimet në këtë tender në vitin 2017. Pas daljes nga SPAK , Gjiknuri theksoi se kostoja e rr rrugës gati u dyfishua duke e bërë atë një nga abuzimet më të mëdha me buxhetin e shtetit.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, në cilësinë e ish-ministrit të Infrastrukturës është thërritur për të dëshmuar në SPAK në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e abuzimeve të ndodhura gjatë zbatimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.

Në dalje të prokurorisë, ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë e cilësoi tenderin në fjalë si një nga abuzimet më të mëdha në historinë e rrugëve, në Shqipëri.

"Dhashë shpjegimet për një mga abuzimet më të mëdha, nisën punimet me një vlerë 240 milionë euro, por përfundoi me mbi 400 milionë euro", u shpreh deputeti socialist.

Duket se shkak për marrjen në pyetje të Gjiknurit, është bërë fakti se në kohën kur ishte ministër në vitin 2017, ai kallëzoi në Prokurori abuzimet e konstatuara nga raporti i auditit të kryer për zbatimin e këtij projekti, dhe përgjegjësitë e ish-drejtuesve të ARRSH.

Pas denoncimit të bërë nga auditi, nisën hetimet dhe në shkurt të 2018, Dashamir Xhika, asokohe drejtues i Autoritetit Rrugor, u arrestua për korrupsion bashkë me dy vartësit e tij, Albens Alite dhe Aksel Qorduka. Akuza e ngritur ndaj tyre ishte për abuzim me fondet e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan.

Auditi i Ministrisë së Infrastrukturës llogariti se dëmi i shkaktuar ishte 36 milion dollarë. Ky abuzim sipas kallëzimit penal është kryer duke rritur koston e rrugës për të favoruziar kompaninë "Aktor" që po kryente punimet ndërkohë që nga paratë shtesë të dala nga buxheti i shtetit dyshohet se zyrtarët përfitonin para në formë ryshfeti.

Ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan filloi në vitin 2011 dhe afati i përfundimit u shty disa herë si pasojë e nevojës së përsëritur për shtesë fondi, nga punimet shtesë si pasojë e shembjeve dhe problematikave në terren.