Dhuna ndaj gazetarëve, Tedi Blushi: Sulme të dënueshme ndaj fjalës së lirë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një  deklaratë për mediat është shprehur se në regjimin e kryeministrit Edi Rama, fjala e lirë është e rrezikuar.

"Këto sulme të dënueshme ndaj fjalës së lirë janë vijim i revanshit të rrugaçërisë, dhunës, presionit, shantazhit dhe bullizmit konstant, që prej vitesh ushtrohet ndaj gazetarëve dhe mediave të pavarura në vend nga Edi Rama.

Heshtja e Qeverisë, e Policisë së Shtetit dhe e institucioneve ligjzbatuese të kapura nga “Rilindja”, që i braktisën pa mbrojtje gazetarët për minuta të tëra në duart e krimit në Krujë dhe Lezhë, faktojnë se janë pikërisht ata frymëzuesit e dhunës ndaj medias.

Në këtë regjim mafioz dhuna fizike dhe çnjerëzore, kërcënimet, shantazhet dhe presionet ndaj gazetarëve dhe mediave të pavarura janë kthyer në model.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi do të mbahen mend për rekordet më të zeza të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, edhe më shumë se në zonat e konflikteve të armatosura, ku reporterët merren peng dhe kërcënohen në mes të ditës në zemër të qyteteve të Shqipërisë dhe askush nuk i mbron, por as thotë edhe një fjalë për dënimin e autorëve.

Nuk është rastësi që vit pas viti Shqipëria shënon përkeqësim në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, si pasojë e situatës së përkeqësuar nga kërcënimet e pavarësisë editoriale, cenimin e integritetit fizik të gazetarëve nga krimi i organizuar dhe dështimin e shtetit shqiptar për t’i mbrojtur gazetarët edhe nga dhuna e pajustifikuar policore.

Duke theksuar se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike, si edhe të llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike, u bëjmë thirrje shoqatave të gazetarëve brenda e jashtë vendit të ngrihen në këmbë dhe të reagojnë fuqimisht ndaj këtyre akteve të barbarisë ndaj gazetarëve shqiptarë.

Partia e Lirisë kërkon nga Komisioni Europian, Parlamenti Europian, Këshilli i Europës, Komisioni i Helsinkit të Kongresit Amerikan, Amnisty International, Human Right Watch, Reporterët pa Kufij dhe të gjitha organizatat prestigjoze ndërkombëtare të gazetarëve të ushtrojnë të gjithë presionin e tyre për t’i kërkuar Edi Ramës dhe Qeverisë së tij të ndalin dhunën ndaj reporterëve dhe mediave të pavarura në Shqipëri!

Pa gazetarë të lirë nuk ka demokraci!

Përkeqësimi i lirisë të medias është rezultat i kapjes të shtetit dhe korrupsionit skizofrenik që po ndodh. Vetëm largimi i "Rilindjes" dhe këtij Kryeministri përmirëson lirinë e medias dhe garanton të drejtat e gazetarëve.

Duke shprehur solidaritetin e plotë me të gjithë reporterët e cënuar në misionin e tyre në shërbim të lirisë dhe informimit publik, apelojmë me forcë që autorët e krimeve ndaj përfaqësuesve të medias të vihen menjëherë para drejtësisë, si dhe t’i jepet fund shantazhit, intimidimit apo çdo lloj tjetër presioni ndaj tyre.

Partia e Lirisë është dhe do të jetë gjithmonë në krah të gazetarëve kurajozë dhe të pavarur për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe pavarësinë e medias.

Dhuna e regjimit mafioz të Edi Ramës kundër gazetarëve ka për qëllim mbylljen e gojës së medias për të mos folur për korrupsionin dhe inkriminimin e Qeverisë.

Kur liria e fjalës është në rrezik, e ardhmja e çdo shqiptari është në rrezik!

Ndaj në 11 shkurt është dita që qytetarët të thonë fjalën e tyre në protestën kombëtare të thirrur nga Opozita e Bashkuar, në ora 12:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë, në mbrojtje të fjalës së lirë, që sot është më e kërcënuar se kurrë nga regjimi mafioz i Edi Ramës.