"S'më kapi plumbi qorr", Korreshi: Deputeti që bën kameramanin e dasmës më kishte filmuar, por shpëtova. Bilbilin ja kam lënë vajzës
Debati i të enjtes ku opozita nuk pranoi diskutimin e asnjë projektligji pa u realizuar interpelanca me Edi Ramën për çështjen "McGonigal" ka sjellë përjashtimin e 8 deputetëve të PD-së.
Deputeti demokrat Saimir Korreshi, edhe pse dispononte një bilbil gjatë seancës dhe bllokoi foltoren i shpëtoi përjashtimit me 10 ditë nga Kuvendi.
Korreshi: Mazhoranca po na privon të vetmen armën që kemi akoma, fjalën e lirë. PD nuk ka asgjë, çdo gjë është në dorën e Edi Ramës. Mundohet të pengojë opozitën duke mos i dhënë fjalën, duke përbuzur Kuvendin si institucion dhe ne si deputetë.Në mënyrë brutale i kanë ndërprerë fjalën opozitës që ka irrituar deputetët e opozitët, përfshirë dhe mua. Mua nuk më ka kapur plumbi qorr kësaj radhe, më kanë përjashtuar nga kjo. Por është e turpshme çka ndodhi si në Komisionin e Etikës së javës së kaluar ku ata ligjëruan fjalën palaço, ndërsa opozita pavarësisht se nuk kishte sharje por vetëm kërkesën e tyre për të qenë prezent kryeministri, për tu respektuar rregullorja e Kuvendit, i janë përgjigur me karton të kuq. Dënim me dhjetë ditë të deputetëve që mos të jenë as në seancën e të hënës dhe as të enjtes.
Për Ora News, ai tha se bilbilin ja ka lënë vajzës.
Korreshi: Ndoshta nuk kanë pasur material. Bilbilin e kam akoma, ja kam lënë trashëgimi vajzës. Do të quhet bilbili në kërkim të drejtësisë së opozitarizmit shqiptar.Kam shpëtuar se ata nuk i marrin as brenda vetes imazhet. Se një deputet që zakonisht bën dhe kameramanin e dasmës më kishte xhiruar shumë mirë gjatë momenteve në foltore. Jo vetëm unë por edhe deputetë të tjerë nuk ishin përfshirë.
Sipas Korreshit, së fundmi opozita është në lartësinë e saj dhe ka lënë mënjanë debatet e brendshme.
Korreshi: Më në fund opozita po sillet si opozitë. Duket sikur dy takimet e fundit nuk është marrë me konfliktet brenda dhomës së zhveshjes si një ekip futbolli. Realisht opozita po bën opozitë me armikun kryesor që ka Edi Rama. Kjo duhet të ishte bërë më shpejt dhe është koha për të vazhduar një gjë e tillë. Ka akte të përbashkëta por dhe një lloj çtensionimi brenda deputetëve të PD.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
