Lokalet pa kamarierë, shkak pagat e ulëta dhe emigrimi masiv
Sektori i shërbimeve po përballet me mungesë të fuqisë punëtore si pasojë e emigrimit të të rinjve dhe më të prekura duket se janë lokalet.
Këtë situatë e konfirmon dhe kreu i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave, Kujtim Dervishi.
"Ky vit që kaloi la gjurmë për shkak të mungesës së stafeve".
Mungesa e fuqisë punëtore vendase, sipas Dervishit, lidhet me një varg arsyesh, nga pagat e ulëta e deri te largimi i të rinjve nga Shqipëria.
"Mjaft hotele të mëdhenj, resorte kanë marrë stafe nga jashtë. Edhe ky vit kërkon një mobilizim. Ne si biznese private, por edhe qeveria duhet të gjejmë modalitete për ta parandaluar këtë fluks ikjesh të të rinjve, kryesisht të specialistëve të kulinarisë duke filluar nga kuzhinierët deri te sanitaret."
Për Dervishin, qeveria duhet të ndërhyjë sa më parë për të shmangur falimentimin e bizneseve.
"Gjithë këto institucione duhet të jenë bashkë për të gjetur një model, edhe për tu rritur pagat sigurisht, por edhe jashtë sezonit qeveria duhet të mendojë bashkë me grupet e interesit për të gjetur një mënyrë për të ndihmuar këto biznese duke u paguar siguracionet këtyre stafeve."
Kreu i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave paralajmëroi se nëse kjo situatë vazhdon do të ketë një rritje çmimesh.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
