I morën ryshfet një emigranti, arrestohen edhe dy policë të kufirit në Sarandë
Arrestohen dy punonjës të policisë me detyrë Trup Shërbimi në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë.
Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Vlorë-Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Sarandë, ka kryer sot ekzekutimin e urdhërit të Prokurorit në zbatim të vendimit Nr. 15 datë 1 shkurt 2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, e cila vendosi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për punonjësit e policisë Dritan Sulo dhe Ronald Xhaferi.
Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 135 e 25 i Kodit Penal.
Ekzekutimi i këtij vendimi vjen pas një pune intensive hetimore, në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 25 janar të këtij viti kur u ndalua punonjësi i policisë Marjus Jaupaj dhe u procedua në gjendje të lirë punonjësi i policisë Dritan Sulo.
Arrestimet erdhën pas kallëzimit të një shtetasi të huaj, emigrant i parregullt i kapur në territor, se policët e Qafë Botës i kanë marrë një shumë eurosh.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.

