"Ricchi e Poveri" në Vlorë, grupi legjendar italian performon para fansave shqiptarë
"Ricchi e Poveri", grupi legjendar italian është ngjitur mbrëmjen e të martës në skenën e "Petro Markos" në Vlorë.
Për artëdashësit që mbushën sallën e teatrit të Vlorës, artistët italianë Angela Brambati dhe Angelo Sotgiu kanë performuar këngët më të bukura të tyre.
Për 90 minuta spektatorët kanë qëndruar në këmbë si shenjë respekti dhe i kanë shoqëruar artistët në këngët e tyre.
Ngjarje e jashtëzakonshme kulturore dhe një nostalgji e rikthim në kulturën e muzikës italiane të viteve '80,e kanë quajtur koncertin e "Ricchi e Poveri", spektatorët e shumtë të pranishëm në këtë event.
"Një udhëtim mbrapa në kohë, ishte shumë e bukur."
"Këngëtarët që kanë sinifikuar këngën italiane para 30-40 vitesh sonte i kemi këtu."
"Shfaqje më të bukur nuk kishte, na emocionoi të gjithëve."
"Një emocion i jashtëzakonshëm, një publik që u shkri me këngëtarët italianë."
"Fëmijërinë dhe adoleshencën time i kam kaluar me këngët e "Ricchi e Poveri"".
Ndërkohë artistët italianë janë nderuar nga kryebashkiaku i Vlorës me titullin “Mirënjohje e qytetit” me motivacionin: “Për nderimin që i bëhet Vlorës me koncertin e tyre, për të gjitha mendimet e lira që i kanë dhuruar Shqipërisë dhe Vlorës posaçërisht si vendi më afër detit, për shijen e muzikës që ata kultivuan dhe për të gjithë nostalgjinë që përmes zërit të tyre do të jetojmë gjithmonë!”

