Pagesa për bukën e gojës, ekspertët e punësimit: Rrogat e ulëta po nxisin emigrimin masiv
Shqiptarët janë ndër më pak të paguarit në rajon. Teksa në Bosnje-Hercegovinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut apo Serbi rroga mesatare shkon 800 deri në 900 euro në muaj, në vendin tonë shkon 40% më pak, ose rreth 520 euro.
Pasojat e të ardhurave të ulëta për ekspertët e punësimit janë të mëdha.
Erion Muça në krye të listës vendos emigrimin masiv.
"Braktisja e vendit, ritmi dhe shifrat e larta të emigracionit, kryesisht për punë, ku një pjesë e rëndësishme e rinisë ka filluar të planifikojë që në shkollim për të përzgjedhur një degë apo program studimi që do t'ja lehtësojë punësimin e vet jashtë vendit."
Për të, mungesa e kulturës nga sipërmarrësit për vlerësimin dhe peshën që ka krahu i punës në rritjen e aktivitetit, është arsye kryesore e pagave të ulëta.
"Punonjësi nuk është trajtuar si kapital njerëzor por si një mekanizëm për të realizuar një proces të caktuar pune nga i cili punëmarrësi sheh dhe vjel të ardhurat dhe benefitetet e veta duke krijuar një hendek apo diferencë shumë të madhe mes asaj çfarë fitohet nga një sipërmarrje dhe asaj çfarë shpërndahet."
Në demokraci shteti nuk mund të ndërhyjë në rritjen apo përcaktimin e pagave, por Muça shprehet se ndikimi mund të arrihet përmes modeleve ekonomike dhe konsultave.
"Modeli i trajtimit në mënyrë progresive i një punojësi mbi bazën e kontributit që ky punojës jep në kompani, mbi bazën e vjetërsisë në punë."
Sipas të dhënave të Monitor, në rajon Shqipëria lë pas vetëm Kosovën për nivelin e pagave ku punonjësit atje kanë një rrogë mesatare prej 484 euro në muaj.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
