Rusia kërcënon me armë bërthamore: I përdorim nëse SHBA e NATO ndihmojnë Ukrainën të na sulmojë
Kryetari i Dumës Ruse, Vyacheslav Volodin, thotë se dërgimi i armëve të premtuara për Kievin mund të nxisë luftën në Ukrainë në një nivel të ri dhe mund të çojë një “katastrofe globale”.
Ai i bashkohet kështu zyrtarëve të lartë rus që gjatë 11 muajve të agresionit ndaj Ukrainës kanë kërcënuar me përdorim të armëve bërthamore.
“Nëse Uashingtoni dhe vendet e NATO-s do të furnizojnë me armë Ukrainën, të cilat do të përdoren për të goditur qytetet dhe pushtimin e territoreve tona, ne do të marrim hak duke përdorur armë edhe më të fuqishme.”
Kërcënimi nga Rusia vjen në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar u zotua për mbështetje të mëtejshme ushtarake ndaj Ukrainës edhe pse nuk pati një dakordësi për dërgimin e tankeve.
Mbretëria e Bashkuar tha se ende dëshiron një marrëveshje ndërkombëtare për t'i siguruar Ukrainës tanket gjermane.
Ish-kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, ka zhvilluar një vizitë të papritur në Ukrainë, duke thënë se ishte një privilegj për të tregonte solidaritet me kombin ukrainas.
“E vetmja mënyrë për t'i dhënë fund kësaj lufte është që Ukraina të fitojë dhe të fitojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky është momenti për t'u dhënë ukrainasve të gjitha mjetet që u nevojiten.”
Përmes një postimi në Twitter ka reaguar edhe ministri i jashtëm i Estonisë i cili shkruan se vendi tij Letonia dhe Lituania i kërkojë Gjermanisë të dërgojnë tanket Leopard atje.
Por deri më tani Gjermania ka refuzuar të marrë një hap të tillë edhe pse përgjatë festimeve për 60-vjetorin e Traktatit të Elysee, kancelari Olaf Scholz tha se vendi i tij dhe Franca do të mbështesin Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme në luftën e saj kundër Rusisë.
Ndërkohë ushtria ruse po përpiqet të pushtojë edhe dy qytete të cilët i përkasin rajonit Zaporizhia, Orikhiv në jug të kryeqytetit rajonal dhe Hulyaipole në lindje.
