Raketa ruse bie në Moldavi, copat e raketës së dëmtuar u gjetën nga forcat kufitare
Moldavia raportoi se ka gjetur brenda territorit të saj copat e një rakete ruse të copëtuar duke nisur hetimet për ngjarjen. Ushtria e Putinit ka ndërmarrë një valë të re sulmesh me raketa në Ukrainë duke shkaktuar ndërprerje masive të energjisë. Në Dnipro një prej ndërtesave të shenjestruara u shemb duke shkaktuar vdekjen e 5 personave dhe plagosjen e 27 të tjerëve përfshirë fëmijë.
Moldavia njoftoi zyrtarisht rënien e copave të një raketave në territorin e saj pas sulmit masiv të ndërmarrë nga ushtria ruse në Ukrainë gjatë të shtunës.
Ministria e Punëve të Brendshme tha se rojet kufitare zbuluan pasdite pranë kufirit të Largës mbetjet e një rakete pas sulmeve ajrore ruse në Ukrainë”.
Autoritetet publikuan edhe një hartë me vendndodhjen e copave të raketës ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se kjo është hera e tretë që territori i vendit preket nga mbetjet e raketave pas bombardimeve në Ukrainë.
Pasditen e të shtunës, autoritetet ukrainase njoftuan se rusia ka nisur një valë të re sulmesh me raketa në gjithë vendin.
Një ndërtesë shumëkatëshe në Dnipro u shemb si pasojë e goditjes ku pesë persona u vranë dhe 27 u plagosën, mes tyre edhe gjashtë fëmijë, ka thënë zyrtari lokal Valentin Reznichenko.
Ndërkaq mediat vendase janë të mbushura me raportime për shpërthime në shumicën e qyteteve.
Infrastruktura kritike në Kiev dhe qytetin lindor të Harkivit është goditur mëngjesin e 14 janarit, dhe më vonë në orët e pasdites.
Ndërkaq, në Mikollaiv, Lviv dhe portin e Odesas mbrojtja ajrore ukrainase ka tentuar të rrëzojë dhjetëra raketa ruse.
Shpërthime janë raportuar edhe në rajonin Vinitsja.
Si pasojë e sulmeve të ashpra të ushtrisë ruse, Kievi, Lvivi, Odessa, Khersoni dhe shumë zona të tjera raportuan ndëprerje massive të energjisë elektrike.
Rrjeti i furnizimit është kthyer në një objektiv sulmi për ushtrinë ruse gjatë muajve të fundit pas përdorimit masiv të dronëve vetëshkatërrues të prodhuar nga Irani.
