Nënshkodra po “zhytet” në ujë, mbi 1000 ha tokë nën ujë, vetëm ushtria futet në Obot

Ende pa u tharë uji në oborret e Nënshkodrës nga përmbytjet e një muaji më parë përsëri zona ndodhet nën ujë.

Hapja e digave të Hidrocentraleve dhe prurjet e mëdha nga lumenjtë kanë bërë që liqeni i Shkodrës të jetë një metër nga niveli kritik.

Rruga e Obotit u bllokua të enjten.

Si pasojë e motit të keq qindra shtëpi në zonat e përmbytura ndodhen pa energji elektrike dhe pa ujë për shkak të prishjes së Ujësjellësit Oblika 1.

Të lodhur nga përmbytjet e herëpashershme banorët thanë se kjo situatë është e rëndë për ta.

"Prej tre ditësh bëjnë shkarkime dhe ka ardhur në këtë situatë."

Ata tregojnë se të mbjellat e tyre janë shkatërruar për të dytën herë brenda pak javësh.

"Dëmin e llogarit ai që vjen ta shohë. Kam 4 dynym serë me sallatë e spinaq, të përmbytura. I kemi mbjellë për të dytën herë kulturat e dimrit dhe e kemi ujin sot brenda serave dhe në oborr."

Autoritetet pritet të dërgojnë ushtrinë dhe mjetet e tyre për tu ardhur në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura, ndërsa situata pritet të bëhet dhe më e vështirë në orët në vijim.