Mësuesit pedofil larg shkollave, Ministria e Arsimit nismë ligjorë: Kush dënohet nuk rikthehet në sistem
Dyshimet se një mësues në Tepelenë ka ngacmuar seksualisht dy nxënëse të mitura ka rikthyer shqetësimin se cilët njerëz i mësojnë fëmijët tanë.
Rastin, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit e cilësojnë të rëndë.
"Është një ngjarje që na trishton të gjithëve dhe nëse provohet nga organet ligjzbatuese që është një ngjarje e vërtetë është dëshpëruese dhe për demotivimin e trupës arsimore."
Për të t`i mbrojtur fëmijët nga të tillë persona, Ministria e Arsimit ka ndërmarrë së fundmi një nismë ligjore që nuk lejon rikthimin në sistem të mësuesve, të cilët dënohen me vendim të formës së prerë për një vepër penale.
"Që lidhet me ngacmimin e nxënësve, kolegëve, me falsifikime etj, ky punonjës nuk mund të kthehet më në sistemin arsimor sepse në fund të fundit ka për qëllim jo vetëm të ruajë por dhe të ndërtojë një profil të qartë, një figurë të pastër të mësuesve, të cilët duhet të kenë dhe kanë rolin e prindit në shkollë."
Por a mund të parandalohen të tilla ngjarje?
Shkëlqim Allkaj, drejtor i Drejtorisë së Politikave të Arsimit Parauniversitar thotë se janë marrë disa masa, si vlerësimi psiko-social i punonjësve të arsimit apo shtimi i psikologëve.
"Me iniciativë të Ministres është miratuar një tjetër udhëzim për vlerësimin psiko-social të punojësve arsimorë, i cili ka për qëllim të vlerësojë në fund të periudhës së provës për të gjithë punonjësit që punësohen për herë të parë dhe punësonjësit e tjerë që lidhin kontrata të reja për gjendjen e tyre psikolkogjike. Kemi pasur një psikolog për 3 mijë nxënës, sot kemi vendosur që numri minimal për një psikolog është 500 nxënës. Gjithashtu këtë vit kemi shtuar dhe 70 oficerë sigurie."
Rasti i mësuesit Kleanthi Laçi nga Tepelena tashmë i arrestuar dhe i pezulluar nga detyra nuk është i izoluar.
Edhe më herët ka pasur denoncime për mësues, të cilët kanë ngacmuar seksualisht nxënëset e tyre.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
