KLSH “flet kot”, paratë e shqiptarëve “rrush e kumbulla”, 78 mln euro dëme nga institucionet, asnjë përgjegjës
Rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit të lëna në institucionet e audituara, rezultojnë të jenë sërish jo efikase. Këtë e thotë vetë KLSH në raportin e publikuara së fundmi, ku ka vlerësuar sa janë zbatuar rekomandimet e lëna gjatë vitit 2021. Sipas raportit, edhe pse janë zbuluar 78 milionë euro dëm ekonomik, shumica e rekomandimeve nuk zbatohet
Problemet me zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së vihen re edhe në raportet e këtij institucioni. Sipas raportit për vitin 2021 nga 9 institucione të audituara, është zbuluar një dëm ekonomik prej 9 miliardë lekësh, ose 78 milionë eurosh, ndërsa KLSH ka dhënë vetëm 27 rekomandime.
Gjithashtu në institucionet të cilave u janë lënë rekomandimet, vetëm 3 prej tyre janë zbatuar, ndërsa 21 të tjera ende nuk janë zbatuar plotësisht. Konkretisht, vetëm në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Durrësit, KLSH ka zbuluar 3.1 milionë euro të ardhura, të munguara në buxhetin e shtetit. Ndërsa KLSH si masë disiplinore për dëmin, është mjaftuar vetëm me një rekomandim për drejtorin, që të pezullojë nga e drejta për ngritje në detyrë për dy vite, 14 punonjës në këtë institucion.
E njëjta praktikë është ndjekur edhe në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj. Edhe pse auditi i Kontrolit të Lartë të Shtetit ka zbuluar 8.2 milionë euro të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit, institucioni që drejtohet nga Arben Shehu është mjaftuar vetëm me rekomandim për drejtorin që të pezullojë nga e drejta për ngritje në detyrë 12 punonjës në këtë institucion.
Përpos kësaj, ajo që bie në sy është se edhe masat disiplinore që janë kërkuar nga institucioni që drejtohet nga Arben Shehu, nuk janë realizuar plotësisht nga institucionet përkatëse.
Megjithatë pas shqetësimeve të ngritua prej KLSH saktësohet se për koncesionin e laboratorëve në janar të vitit 2022 janë 10 persona të dërguar para drejtësisë.

