Davos mes frikës së recesionit, shefja e FMN-së: Pritet rritje ekonomike në fund të 2023
Forumi Ekonomik Botëror, mbledhja vjetore e liderëve politikë dhe të biznesit, nisi takimin e tij të parë të rregullt dimëror pas një pauze dyvjeçare gjatë pandemisë. Veprimtaria, e organizuar në qytetin malor zviceran të Davos, mblidhet këtë herë mes pamjes më të turbullt ekonomike dhe gjeopolitike në vite. Rritja e inflacionit ka shkaktuar rritje të mprehta të normave të interesit në mbarë botën. Një luftë tokësore në Evropë po vazhdon. Ngjarja tërheq mijëra njerëz, duke përfshirë politikanë, shefa ekzekutivë, investitorë dhe akademikë.
Forumi Ekonomik Botëror i Davosit, nisi te marten, në një kohë kur bota eshte perfshire nga frika e recesionit dhe sfidat e tjera, të ndikuara edhe nga Lufta në Ukraninë apo edhe nga pandemia e Covid.
Në Zvicër, jane mbledhur liderët botëror nga G20-a dhe G7-a, si dhe rreth 200 ministra kabinetesh dhe mbi 1,500 udhëheqës biznesi, për të diskutuar rreth zhvillimit ekonomik dhe përballimit të krizave, për vitin 2023.
Duke folur nga një panel të Forumit Ekonomik Botëror, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva deklaroi se në fund të këtij viti, pritet një rritje ekonomike, pavarësisht luftës në Ukrainë dhe rritjes së normave të interesit.
Kristalina Georgieva: Që prej fillimit të këtij viti, ne po shohim disa lajme të mira. Në fundin e vitit 2023, presim një rritja ekonomike, për të filluar një proces që ne do të shohim vetëm progres. Sipas parashimit të Fondit Monetar, këtë vit presim një rritje ekonomike prej 3.2%, një rritje në krahasim me vitin e shkuar prej 2.7%. 3 sfida shumë të rëndësishme për 2023-in, janë lufta në Ukrainë, kriza e kostos së jetesës dhe normat tepër të larta të interesit. Bota duhet të menaxhojë më me zgjuarsi përshtatjen, si dhe sigurimin e furnizimit dhe rezervave.
Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, theksoi nga takimi se Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të bëhen bashkë, për të siguara një të ardhme më të mirëm ndërkohë që paraqiti edhe një plan për ta mbajtur industrinë e Evropës sa më konkurruese.
Ursula Von Der Leyen: Dekadat e ardhshme do të shohin transformimin më të madh industrial të kohës sonë. Zhvillimi dhe prodhimi i energjisë do të jetë themeli i ekonomisë së të ardhmes, i cili do të ketë avantazhin më të madh konkurrues. Duhet të punojmë së bashku me aleatët tanë dhe jo të kemi mosmarrëveshje dhe përçarje. Qëllimi ynë duhet të jetë shmangia e ndërprerjeve në tregtinë dhe investimet transatlantike. Qëllim tjetër do të kemi fokusin te investimet në projekte strategjike përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit.
Von Der Leyen njoftoi më tej për një Akt të ri të Industrisë ‘Net-Zero’, që do të përcaktojë objektiva për vitin 2030. Synimi do të jetë te përpjekja për të rritur financimin e teknologjisë së pastër dhe lejet e shpejta për vendet përkatëse të prodhimit.
5 pikat kryesore të bisedimeve që do të dominojnë axhendën në Forumin Ekonomik Botëror të këtij viti janë kriza e kostove të jetesës, lufta Rusi-Ukrainë, kriza e klimës, kriza në rritjen e pasigurisë ushqimore dhe teknologjia e inovacioni.

