VIDEO/ "Free TopG", të rinjtë në Athinë dalin në protestë për lirimin e Andrew Tate

Një grup të rinjsh në Athinë protestuan për influencuesin e mediave sociale, Andrew Tate, i cili u arrestua në Rumani me akuza për trafik seksual, përdhunim dhe krim të organizuar.

Duke mbajtur pankarta që lexonin "Free TopG" (pseudonimi i Tate) dhjetëra të rinj u mblodhën në qendër të Athinës për të shprehur mbështetjen për figurën e diskutueshme.

Në videot e publikuara në rrjetet sociale, të rinjtë shihen duke kaluar nëpër sheshin Sintagma dhe më pas duke zbritur në rrugën Ermou duke brohoritur këtë slogan.

Ndikuesi i mediave sociale dhe vëllai i tij u kapën në Rumani së fundmi në lidhje me akuzat për trafikim seksual dhe tani janë në burg në pritje të një hetimi.

Policia me pajisje taktike zbriti në vilën e Andrew Tate dhe vëllait te tij Tristan, për të arrestuar vëllezërit britanikë me akuza për rrëmbim dhe përdhunim, thanë burimet gjyqësore për gazetën rumune Libertatea.

Vëllezërit dyshohet se kishin ndaluar dy vajza të reja - një me nënshtetësi amerikane dhe një rumune - brenda vilës kundër vullnetit të tyre në prill, ku ato iu nënshtruan "dhunës fizike dhe detyrimit mendor" për video pornografike.