Persona të armatosur vrasin ish-deputeten afgane në shtëpinë e saj në Kabul

Një ish-deputete afgane dhe truproja e saj janë qëlluar për vdekje në shtëpinë e saj në kryeqytetin Kabul, ka thënë policia afgane.

Mursal Nabizada, 32 vjeç, ishte një nga të paktat deputete femra që qëndruan në Kabul pasi talibanët morën pushtetin në gusht 2021. Vëllai i saj dhe një roje e dytë e sigurisë u plagosën në sulmin e së dielën.

Ish-kolegët e vlerësuan zonjën Nabizada si një "kampione e patrembur për Afganistanin", e cila refuzoi një shans për t'u larguar nga vendi.

Që kur talibanët u kthyen në pushtet në vitin 2021, gratë janë larguar nga pothuajse të gjitha fushat e jetës publike.

Zëdhënësi i policisë së Kabulit Khalid Zadran tha se forcat e sigurisë kishin nisur një hetim serioz për incidentin.

Ish-deputetja Mariam Solaimankhil tha se zonja Nabizada ishte një pioniere e vërtetë - një grua e fortë, e hapur, e cila qëndronte për atë në të cilën ajo besonte, edhe përballë rrezikut.

“Pavarësisht se iu ofrua mundësia të largohej nga Afganistani, ajo zgjodhi të qëndrojë dhe të luftojë për popullin e saj”, shkroi ajo në Twitter.

Nabizada, nga provinca lindore e Nangarharit, u zgjodh deputete nga Kabuli në vitin 2018 dhe qëndroi në pushtet deri në marrjen e pushtetit nga talibanët.

Ajo ka qenë anëtare e komisionit parlamentar të mbrojtjes dhe ka punuar në Institutin për Zhvillim dhe Kërkim të Burimeve Njerëzore.

Shumë gra që kishin punë të spikatura profesionale në Afganistan pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA dy dekada më parë u larguan nga vendi pasi talibanët u kthyen në pushtet.