U kritikua për dobësimin e Forcave të Armatosura, dorëhiqet ministrja gjermane

Një sërë qendrime publike që janë cilësuar si gafa i kanë kushtuar postin Ministres gjermane të Mbrojtjes. Christine Lambrecht është dorehequr pasi është kritikuar gjithashtu edhe për dobësimin e Forcave të Armatosura gjermane.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht është dorehequr pas një sërë qendrimesh publike që janë konsideruar si gafa.

Kritikat shpërthyen pas fjalimit të saj për Vitin e Ri, në të cilin ajo tha se konflikti midis Moskës dhe Kievit i kishte lënë shumë ‘përshtypje’ dhe i mundësoi të takonte shumë ‘njerëz interesantë dhe të mëdhenj’. Fjalimi i saj u kritikua menjëherë si ‘i turpshëm’ dhe ‘i papërshtatshëm’.

Lambrecht, anëtare e socialdemokratëve e partise se kancelarit Scholz, gjithashtu u shënjestrua kur deklaroi se Gjermania po mbështeste Ukrainën duke dërguar 5000 helmeta ushtarake.

Një tjetër moment i pakëndshëm, ishte edhe fakti që në videon që postoi në natën e Vitit të Ri, u zbulua se kishte marrë në udhëtim edhe djalin e saj. Kjo shkaktoi përbuzje të gjerë dhe minoi mbështetjen e saj brenda qarqeve politike.

Udhëheqësit e bllokut më të madh të opozitës, akuzuan më pas Scholz-in se e bëri Lambrecht-in Ministre të Mbrojtjes dhe se ajo ka dobësuar më tej Forcat e Armatosura Gjermane, të cilat janë përballur me mungesat e personelit dhe mosfunksionimet e pajisjeve për vite me radhë.

Mandati i Lambrecht si ministre e Mbrojtjes gjithashtu pa një tjetër skandal që përfshin pajisjet ushtarake. Në dhjetor, Gjermania bëri të ditur se do ndalonte prokurimin e automjeteve moderne luftarake të këmbësorisë ‘Puma’ të prodhimit vendas për shkak të keqfunksionimeve të shumta.

Më herët ministrja e mbrojtjes i kishte dorëzuar kërkesën për dorëheqje kancelarit gjerman Olaf Scholz. Kancelari do të humbiste një ministre besnike, sipas analistëve por pasuesin e pret një detyrë shumë e vështirë. Sipas mediave gjermane një ndër kandidatet për këtë post është  Eva Högl e SPD-së.