Arrestimi i bosit të Cosa Nostras, Denaro po transferohet me helikopter në burgun sekret të sigurisë së lartë
Bosi i bosëve të mafias siciliane Cosa Nostra, Matteo Messina Denaro është arrestuar mëngjesin e sotëm pas një operacioni të Antimafias Palemitane drejtuar nga Prokurori Maurizio De Lucia.
I shpallur në kërkim prej vitit 1993, Matteo Messina Denaro, u arrestua rreth orës 9:30 të mëngjesit të sotëm në klinikën private Maddalena në qendër të Palermos, ku ndodhej për t'u kuruar për shkak të problemeve shëndetësore.
Informacionet e para të zbardhura eksluzivisht për RTV Ora e Ora News, kanë konfirmuar se prej vitit 2021 ai vuante nga një tumor në zorrën e trashë e në këtë klinikë kurohej në një emër fals Andrea Bonafede.
Matteo Messina Denaro, 60 vjeç, kapomafia i Trapanit, padrino i Castervetranos, gjatë viteve të aktivitetit të tij kriminal kishte arritur të bëhej bosi i bosëve të mafias siciliane Cosa Nostra.
Ai akuzohet për shkrirjen në acid më 1992 të vogëlushit Giuseppe Di Matteo, djali i një të penduari të drejtësisë, akuzohet si urdhëruesi i atentateve mafioze ndaj prokurorëve të amtimafias Giovanni Falcone e Paolo Borsellino, si dhe për një sërë vrasjesh në Milano, Firenze e Roma.
30 vite arratisje nga drejtësia italiane, është një kohë rekord që ia ka kapërcyer bosit tjetër të mafias siciliane Toto Riina i cili mundi të kapej pas 23 vite kërkim, por më e shkurtër se 38 vite që u deshën për të vënë nën pranga bosit tjetër mafioz, Bernardo Provenzono.
Për kapjen e Matteo Messina Denaro u impenjuan mbi 100 forca policore e trupat e forcave speciale të repartit të Palermos.
Arrestimi i tij është përshëndetur nga Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cila ka komentuar se "është një fitore e madhe e shtetit dhe që dëshmon se nuk duhet dorëzuar kurrë para mafias".
Eskluzivisht RTV Ora e Ora News, ka zbardhur se Matteo Messina Denaro gjatë ditës së sotme do të transportohet me avion nga Palermo në një burg të sigurisë së lartë e rreth pasdites pritet një konferencë shtypi ku do të zbardhen të gjitha detajet e arrestimit të tij.
