Bilanc lufte, 30 të vdekur nga raketa ruse mbi një pallat në Dnipro

Numri i të vdekurve nga një sulm me raketa ruse në një godinë me apartamente në qytetin juglindor të Ukrainës, Dnipro, shkoi të dielën në 30, ndërkohë që punonjësit e shpëtimit përpiqeshin të nxirrnin ata që ishin varrosur në rrënoja.

Kryetari i bashkisë së qytetit ka paralajmëruar se mund të mos ketë më të mbijetuar mes 44 personave të raportuar si të zhdukur.

Banorët e Dnipros iu bashkuan punonjësve të shpëtimit në vendngjarje për të ndihmuar në largimin e rrënojave. Të tjerë sollën ushqim dhe rroba të ngrohta për ata që kishin humbur shtëpitë e tyre, ndërsa disa sollën lule dhe lodra në vendngjarje.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy raportoi se të paktën 73 persona u plagosën dhe 39 persona ishin shpëtuar që nga pasditja e së dielës. Në fjalimin e tij të natës, udhëheqësi i Ukrainës kaloi në gjuhën ruse për të dënuar bashkëpunimin e qytetarëve rusë.

"Heshtja juaj frikacake, përpjekja juaj për të 'pritur' atë që po ndodh, do të përfundojë vetëm me faktin se një ditë të njëjtët terroristë do të vijnë për ju," tha Zelenskyy.

"E keqja është shumë e ndjeshme ndaj frikacakëve. E keqja i kujton gjithmonë ata që i frikësohen ose përpiqen të bëjnë pazare. Dhe kur të vijë radha për ty, nuk do të ketë njeri që të të mbrojë."

Kievi, Kharkiv dhe Odesa u goditën gjithashtu të shtunën në sulme që Moska tha se kishin në shënjestër infrastrukturën ushtarake dhe energjetike të Ukrainës. Kishin kaluar dy javë që nga vala e fundit e sulmeve ruse në rrjetin elektrik të Ukrainës.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike Rafael Grossi pritet të shkojë në Ukrainë këtë javë për të krijuar një "prezencë të vazhdueshme" të ekspertëve të sigurisë në të gjitha objektet e energjisë bërthamore të vendit, në një përpjekje për të parandaluar një aksident bërthamor në një luftë që nuk po tregon asnjë shenjë lehtësimi.