Konfiskimi i RTV Ora, Deda: Rama e ka marrë shembullin nga Ergodani, çdo medie kritike e ka mbyllur
I ftuar në RTV Ora, Reldar Deda, kryeredaktor i Liberale, u shpreh se autokracitë i prodhojnë këto tumore në drejtësinë shqiptare, duke iu referuar vendimit absurd ndaj RTV Ora.
Ai tha se duket se Rama shembullin për të sulmuar mediet, ashtu sikurse bëri me RTV Ora, e ka marrë nga Erdogan në Turqi ku janë goditur mediet kritike.
Ai shtoi se kjo drejtësia e re duhet të ketë parasysh që ka përballë një klasë politike që përfaqëson sot një fytyrë tranzicioni të tejzgjatur të shoqërisë shqiptare.
Deda: Autokracitë i prodhojnë këto tumore në drejtësinë shqiptare, mbajnë peng fjalën e lirë dhe iniciativën për të qenë i pavarur duke të dënuar. Nuk ke mundësi që të shprehësh lirinë dhe ta përfaqësosh atë. Këta kërkojnë një brigadë ushtarësh që mendojnë si ata. Mund të shihni Turqinë ku televizionet kanë titra dhe janë televizione ose të konfiskuara ose i kanë kaluar miqve të Erdoganit. Prandaj Rama mund të jetë frymëzuar nga ai duke bërë që televizionet të përfaqësojnë linjë editoriale të qeverisë, përndryshe do t’i shkatërrojnë.
Kjo drejtësia e re duhet të ketë parasysh që ka përballë një klasë politike që përfaqëson sot një fytyrë tranzicioni të tejzgjatur të shoqërisë shqiptare. Ka mbajtur peng për 3 dekada progresin dhe anëtarësimin e vendit në BE. Nëse drejtësia nuk e shkatërron këtë klasë politike nuk mund të kërkosh anëtarësim dhe drejtësia do të jetë fluide. Nuk do të ketë medie dhe biznese të pavarura, sepse këta shpërndajnë dhe kontrollojnë pushtet.
Shënim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
