Austria akuzon një shtetas grek se ka spiunuar për Moskën
Një shtetas grek 39-vjeçar me origjinë ruse akuzohet nga hetuesit austriakë se ka spiunuar për agjencinë ruse të inteligjencës ushtarake GRU.
Personi, i cili dyshohet se ka marrë trajnime ushtarake në Rusi, ua ka transmetuar informacionin që ka mbledhur në Austri për luftën në Ukrainë diplomatëve dhe shërbimeve të ndryshme të inteligjencës, tha sot ministria e brendshme në Vjenë, duke shtuar se ai është djali i një ish-spiuni rus, i cili, dikur ishte vendosur në Gjermani dhe Austri si diplomat.
Ministria austriake e bëri njoftimin pas një hetimi nga shërbimi i brendshëm austriak i inteligjencës "në bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar" me vende ose institucione që nuk i përmendi.
Personi në fjalë ndodhej në Rusi pak para dhe gjatë fillimit të pushtimit ushtarak të Ukrainës nga forcat ruse në fund të shkurtit.
Ai eshte ende në arrati ndërsa rrezikon të përballet me deri në pesë vjet burg për "mbështetje të një shërbimi të huaj inteligjent kundër Austrisë".
Hetuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë Publike të Austrisë gjetën pajisje përgjimi, kamera të fshehta, telefona celularë, kompjuterë dhe një jelek antiplumb që ai kishte përdorur.
Dyshimet nisën për shkak të udhëtimeve të tij të shpeshta. Nga viti 2018 deri në fillim të vitit 2022, ai kishte bërë gjithsej 65 udhëtime në vende të Evropës dhe më gjerë, duke përfshirë Rusinë, Bjellorusinë, Turqinë dhe Gjeorgjinë. Ai kishte fituar prona në Vjenë, Rusi dhe Greqi, megjithëse zyrtarisht kishte vetëm të ardhura të vogla, njoftoi ministria austriake.
Ambasada ruse në Vjenë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të Reuters për koment.
