Kreu i Inteligjencës Amerikane: Rusia s’është serioze për negociatat

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen se Rusia nuk është serioze për zhvillimin e negociatave që do të bënin të mundur përfundimin e luftës në Ukrainë.

I pyetur nëse moti i ftohtë i dimrit mund të ngadalësojë luftimet dhe të hapë mundësinë për bisedime, shefi i Agjencisë së Inteligjencës (CIA) William Burns, deklaron se rusët nuk janë seriozë në këtë pikë për “negociata të vërteta”.

Këto ishin komentet e tij të para publike që nga takimi me homologun e tij rus, Sergey Naryshkin, në Turqi, gjatë muajit të kaluar.

Takimi i 14 nëntorit mes Burns dhe Naryshkin, shënoi takimin më të lartë ballë për ballë midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë, që para shkurtit, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Në fillim të kësaj jave, Rusia tha se SHBA-ja nuk kishte “qasje konstruktive” ndaj bisedimeve.

Në fillim të dhjetorit, presidenti amerikan, Joe Biden, tha të enjten se është i gatshëm të flasë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, nëse ai vërtet dëshiron t’i japë fund luftës. Më 8 nëntor SHBA-ja tha se është “në interesat” e Uashingtonit të mbajë kontakte me Kremlinin. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.