Futbolli shqiptar në zi, ndërron jetë legjenda Bujar Gogunja
Ish-portieri Bujar Gogunja ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Gardiani elbasanas është një nga emrat më të mëdhenj të portës shqiptare pasi ishte i pari që vendosi rekordin e 11 ndeshjeve pa pësuar gol, ndërsa në lidhje me largimin e tij nga jeta, ka reaguar në një postim të gjatë edhe presidenti i FSHF, Armand Duka:
“Të dashur miq të familjes sonë të madhe të futbollit, Pak minuta më parë mora lajmin e trishtë se miku im i mirë Bujar Gogunja, portieri i madh i Elbasanit të viteve ‘80-të, njeriu i mençur e fjalëpak, u nda nga jeta pas një beteje me një sëmundje të rëndë.
Ish-portieri i Labinotit kampion të sezonit 1983-1984 ishte pjesë e atij brezi të artë të futbollit elbasanas që sollën emocione të mëdha në gjithë futbollin shqiptar. Bujari, ishte një ikonë e portës dhe do të kujtohet gjithmonë për rekordin e tij prej 1037 minutash pa pësuar gol. Ai mbeti një frymëzim për brezat e rinj dhe kontribuoi për qytetin e tij edhe si trajner portierësh te Elbasani kampion i sezonit 2005-2006.
Në këtë moment të vështirë për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh ngushëllimet e mija më të ndjera për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë gjithmonë të paharruara. Prehu në paqe Bujar, do na mungosh të gjithëve”.
