Euro 2023 për Kombëtaren U-17, nesër kuqezinjtë shortohen në “Elite Round”
Nesër Shqipwria U-17 do të njihet me kundërshtarët që do të ketë përballë në fazën Elite Round të Kampionatit Europian 2023. Skuadra kuqezi arriti të kualifikohej në këtë fazë pas ndeshjeve të turit eliminator të Europianit që u luajtën në muajin tetor, duke u renditur mes vendeve të treta më të mira të këtij raundi. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku mbylli grupin 7 në vendin e tretë me 4 pikë, po aq sa Kroacia e vendit të dytë, ndërsa në krye të grupit u rendit Uellsi me 5 pikë.
Në fazën Elite Round të Kampionatit Europian U-17 marrin pjesë 32 skuadrat e kualifikuara që do të ndahen në 8 grupe me nga 4 skuadra secila të ndara në katër vazo, ndërsa ndeshjet e grupeve të këtij raundi duhet të përfundojnë brenda datës 28 mars 2022.
Shqipëria është pozicionuar në vazon D të shortit së bashku me Islandën, Finlandën, Republikën e Irlandës, Slloveninë, Sllovakinë, Irlandën e Veriut dhe Bjellorusinë.
Në vazon A ndodhen Holanda, Spanja, Serbia, Franca, Portugalia, Italia, Belgjika dhe Mali i Zi.
Në vazon B janë Anglia, Republika Çeke, Norvegjia, Ukraina, Zvicra, Uellsi, Gjermani dhe Izraeli.
Ndërsa vazoja C përbehet nga Turqia, Bosnje-Hercegovina, Danimarka, Polonia, Qipro, Skoci, Kroaci dhe Letoni. Tetë ekipet e vendeve të para të grupeve së bashku me shtatë vendet e dyta më të mira do të avancojnë për në fazën finale të Europianit U-17, që do të zhvillohet në Hungari nga data 17 maj e deri më 2 qershor 2023.
