FIFA dënon Serbinë për flamurin me hartën e Kosovës në dhomën e zhveshjes
Pak ditë pas ngjarjes dhe nisjes së hetimeve për shfaqjen e një flamuri me hartën e Kosovës dhe mbishkrimin "S'ka dorëzim", FIFA gjobit federatën serbe me 20 mijë franga zvicerane.
Ngjarja u shënua në 24 nëntor përpara ndeshjes me Brazilin ku Serbia u mund 2-0. FFK dhe Komiteti Olimpik i Kosovës kërkuan nisjen e hetimeve dhe tashmë çështja është mbyllur me gjobë.
Një hetim tjetër në dëm të Serbisë është hapur po nga FIFA pak ditë më parë në lidhje me ngjarjet e shëmtuara të stadiumit 974 në ndeshjen kundër Zvicrës. Lojtarët serbë por edhe tifozët po hetohen për koret diskriminuese ndaj lojtarëve shqiptarë të Zvicrës që shkaktuan edhe irritimin e Granit Xhakës në pjesën e dytë të sfidës.
Në rast se serbët rezultojnë fajtorë, atëherë rrezikojnë të luajnë ndeshjet e para eleminatore të Euro 2024 pa tifozë.
