Bislimi: Është hedhur hap i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave për Kosovën
Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi thotë se një hap i rëndësishëm është hedhur sot drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook bëri me dije se “dakordimin mes ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për ta kaluar procesin drejt fazave të rradhës, deri në vendimin final”.
Bislimi thotë se “ka qenë një proces i gjatë i takimeve konsultative me vendet skeptike” por “puna, përkushtimi dhe angazhimi në këtë proces, u riafirmua sot dhe nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së”.
Postimi i plotë:
Një hap i rëndësishëm është hedhur sot drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Mirëpresim dakordimin mes ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për ta kaluar procesin drejt fazave të rradhës, deri në vendimin final.
Ka qenë një proces i gjatë i takimeve konsultative me vendet skeptike, ku kemi marrë burimin e problemit. E kemi trajtuar atë dhe theksuar se vendi ynë gjatë vitit të fundit ka shënuar progres madhor në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe menaxhimin e migrimit. Puna, përkushtimi dhe angazhimi në këtë proces, u riafirmua sot dhe nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
Pas shumë viteve ngecje e pritjeve të tejzgjatura, çështja e liberalizimit të vizave ecën tutje në procedurat e vendimmarrjes në institucionet e BE-së, ku faza e rradhës është ajo ndër-institucionale mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian, nga ku presim që procedurat të kalohen shpejt dhe të kthehen në Këshillin e Ministrave për vendimin final.
Falenderues ndaj Presidencës së Çekisë të Këshillit të BE-së, për vëmendjen e tyre të veçantë dhe përkushtimin në shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave, si dhe të gjitha shteteve anëtare që e kanë mbështetur aktivisht Republikën e Kosovës në këtë proces.
