Osmani: Serbia po nxit kriza artificiale që të mos flitet për marrëveshje finale me Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se ka krijuar një krizë artificiale në javët e fundit, në mënyrë që të mos diskutohet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga Sofia, pasi takoi homologun e saj bullgar, Ruman Radev, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi se është koha që Bashkimi Evropian dhe ndërmjetësuesit e tij për dialogun ta kuptojnë se Serbia ka përdorur taktikën e pengimit, përmes pjesëmarrjes pasi pala serbe diskuton në tavolinë me kushtëzime dhe pengesa, pasi sic tha ajo, pala tjetër nuk është e interesuar që ta përmbyllë këtë proces me sukses.

Presidentja e Kosovës ka thënë se Serbia ka nisur të prodhojë kriza prej kur Bashkimi Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania, e ka bërë propozimin muaj më parë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

Osmani shtoi se shpreson që BE-ja t’i dërgojë mesazh Serbisë se nuk mund të bllokojë më procesin.

Është koha, tha presidentja Osmani që Serbia përfundimisht të vendosë se në cilin drejtim dëshiron të shkojë: Në drejtim të Evropa, apo në drejtimin e Moskës?

“Pasi Nuk mund të jesh me të dyja palët”, ka thënë Osmani.

Ekzistenca e propozimit të BE-së është konfirmuar edhe nga liderët e Kosovës, edhe nga ata të Serbisë.

Në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ndërsa, në Serbi kanë thënë se ky plan nuk është në favor të saj.

Në muajin nëntor, dy vendet kanë arritur marrëveshje për targat, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ndërsa dy vendet  kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.