Belgjika pa nerv por me fat, Kanadaja bën shumë por nuk merr asgjë (VIDEO)

Belgjika shpëtoi me një gol të Batshuayi në pjesën e parë duke kaluar me shumë fat Kanadanë që u rikthye në një botëror pas 36 vitesh mungesë. Konsiderohej një ndeshje e lehtë ajo e “Stadium 947” për skuadrën e Roberto Martinez, dukshëm në vështirësi gjatë gjithë 90 minutave ku për më tepër arbitri nuk reagoi në dy raste flagrante për 11-metërsh në favor të kanadezëve.

Edhe një herë, heroi i belgëve është Thibaut Courtouis i cili priti 11-metërshin e Davies por bëri edhe më shumë duke bllokuar disa tentativa të kanadezëve, një skuadër e cila interpreton futboll jo shumë të komplikuar dhe dinamik. Fitorja e ngjit Belgjikën në krye të grupit F me 3 pikë, e ndjekur nga Maroku e Kroacia dhe më pas Kanadaja pa asnjë pikë.