Propozimi i ri për liberalizimin e vizave në Kosovë: Hyn në fuqi jo më vonë se në dhjetor 2023

Bashkimi Evropian nën kryesimin e Pragës e ka lidhur drejtpërsëdrejti liberalizmin e vizave për Kosovën me funksionimin e sistemit për siguri në udhëtim ETIAS. Në këtë mënyrë pritet edhe shtyrja e liberalizimit me një muaj dhe ai nuk pritet të ndodhë përpara dhjetorit të vitit 2023.

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian ka hartuar një vendim të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën, ku thuhet se nisja e zbatimit të lëvizjes së lirë do të ndodhë në të njëjtën kohë me atë të sistemit ETIAS.

Sistemi ETIAS mund të vihet në funksion jo përpara 1 dhjetorit, por as më vonë se muaji i fundit i vitit 2023.

Vendimi i ri është formalizuar pas takimit të përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së në grupin punues për vizat në Këshillin e BE-së, takim që u mbajt të enjten.

Ky propozim është një kompromis mes kërkesës së Francës që hyrja në fuqi të lidhet me funksionalizimin e Sistemit Evropian të Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit, edhe pse shumica e shteteve anëtare kanë kërkuar që këto dy tema të mos lidhen me njëra-tjetrën.

Sipas diplomatëve të BE-së kjo do të thotë se liberalizimi mund të nisë më 1 nëntor 2023, në rast se në atë datë nis edhe funksionimi i ETIAS-it.

Diplomatët e BE-së e konsiderojnë këtë gjë si të rëndësishme për Kosovën pasi në këtë mënyrë, sipas tyre, shmanget mundësia që Kosova të presë për liberalizim në rast të mos hyrjes në fuqi të ETIAS-it.

Funksionalizimi i këtij sistemi është shtyrë disa herë edhe pse ai teknikisht ka qenë gati. Afati i ri i nisjes së zbatimit të ETIAS-it është 1 nëntori i vitit 2023, por nuk ka garanci se kjo në të vërtetë do të ndodhë.