Albin Kurti takohet me Borrell, diskutojnë për targat ilegale
Kryeministri i Kosovës është takuar me kryediplomatin e BE-së në Francë me të cilin kanë diskutuar për zbatimin e vendimit për targat ilegale. Ndërsa Albin Kurti po e përcjell situatën e tensionuar në veri me qetësi, kryetari i AAK-së ka kërkuar interpelancë me kryeministrin. Ramush Haradinaj thotë se situata është e paprecedentë dhe i kërkon qeverisë shtyrjen e vendimit për targat.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili po qëndron në Francë për të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, para fillimit të forumit u takua me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme, Politikë e Siguri, Joseph Borrell dhe të dërguarin special për dialogun Mirosllav Lajçak.
Përmes një komunikate, Kryeministria e Kosovës thotë se dinamizmi i dialogut Kosovë-Serbi, zbatimi i vendimit për targat ilegale, zhvillimet e fundit në Kosovë, dhe çështje tjera aktuale ishin temat kryesore të takimit.
Në komunikatën e shpërndarë për publikun, qeveria e Kosovës njofton se zoti Kurti nënvizoi synimet e Prishtinës për njohje reciproke në qendër dhe vlerësoi propozimin franko-gjerman, i cili shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.
Sipas njoftimit, Kurti ritheksoi se Qeveria e Kosovës ka treguar vendosmëri për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.
Takimi i zotit Kurti me kryediplomatin e bllokut evropian vjen në mes të kritikave të opozitës në Prishtinë të cilin e bëjnë kreun e qeverisë shkaktarin e vetëm të krizës me Serbinë.
Ish-kryeministri dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Konjufca mbajtjen e një interpelance me kryeministrin Kurti për masat e qeverisë për targat duke injoruar Shtetet e Bashkuara.
Zoti Haradinaj i kërkoi Kuvendit propozimin e një rezolute për shtyrjen e vendimit për targat deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.