Daçiç, kundër planit franko-gjerman: Në paketë Kosova është e pavarur

Ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç ka hedhur poshtë planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kryediplomati shprehet se Beogradi nuk mund ta pranojë paketën, pasi ajo nis me frazën ‘Kosova është e pavarur’.

Traktati franko-gjerman i propozuar për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duket se nuk i pëlqen Beogradit.

Ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç bëri të ditur të premten se nenet e paketës franko-gjermane janë të papranueshme pasi plani nis me faktin se Kosova është e pavarur.

Sipas medieve që publikuan dokumentin në traktatin franko-gjerman nënvizohej se marrëdhëniet e mira fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jenë të drejta e të barabarta.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e konfirmuan ekzistencën e të ashtuquajturit plan franko-gjerman më 3 nëntor, në Berlin.

Sipas paketës, plani franko-gjerman ka për qëllim të zgjidhë mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.

Për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, propozimi franko-gjerman është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme për normalizimin e plotë të raporteve.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ishte i pari që foli për ekzistencën e këtij plani.

Më 8 tetor, ai tha se Franca dhe Gjermania e kanë prezantuar një plan, sipas të cilit Serbia do ta lejonte hyrjen e Kosovës në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara (OKB), në këmbim për anëtarësimin më të shpejtë të Serbisë në BE.