Senati amerikan, demokratët fitojnë Nevadan, afër marrjes së shumicës

Rezultati i Nevadës, ku demokratët fituan një senator, mund ta çojë Senatin në duart e demokratëve në Amerikë. Brenda republikanëve ndërkohë kanë nisur debatet sepse kanë humbur në disa bastione të rëndësishme në shtete të ndryshme.

Ndërsa po mbushet java nga votimet afatmesme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Senatin amerikan, demokratët dhe republikanët janë kokë më kokë.

Mëngjesin e së dielës, mediet amerikane njoftuan se demokratët kanë fituar Nevadan. Një lajm ky që sipas projeksioneve e çon senatin amerikan në duart e demokratëve.

Pritet gjithashtu edhe Georga, ku zgjedhjet do të mbahen sërish në dhjetor, por analistët thonë se me marrjen e Nevadas, demokratët kanë arritur një fitore të rëndësishme, pavarësisht se kanë humbur Kongresin.

Pas lajmit për fitoren në Nevada, udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha se "Amerika tregoi se ne besojmë në demokracinë tonë, se rrënjët e demokracisë janë të thella dhe të forta".

Brenda republikanëve kanë nisur debate sa i përket humbjes në disa bastione të rëndësishme të djathta në Amerikë. Njëra pjesë ka filluar të shoh me sy të dyshimtë kandidaturën e Donald Trumpit, ndërsa një yll në ngjitje në krahun republikan doli nga këto zgjedhje, Ron DeSantis.