Trump mbyll fushatën

Ish-presidenti Trump e mbylli fushatën në Florida një bastion i padiskutueshëm republikan. Nga Majemi 76-vjeçari lëshoi akuza të forta ndaj së majtës se po e kthen Amerikën në komunizëm duke ftuar mbështetësit e tij që ta ndalonin socializmin duke votuar Partinë Republikane.

Ish-presidenti Donald Trump ka mbajtur tubimin e fundit në Florida një ditë përpara zgjedhjeve afatmesme për Kongresin dhe poste të tjera të rëndësishme publike.

Nga Miami republikani u kërkoi votën floridanëve duke akuzuar rëndë Partinë Demokratike në pushtet se po e kthejnë vendin në socializëm.

Trump u tha mbështetësve të tij se dekomunistizimi mbetet prioritet i Partisë Republikane.

Trump: Demokratët radikalë duan ta kthejnë Amerikën në Kubë komuniste ose në Venezuelë socialiste. Në partinë republikane ne jemi të vendosur që Amerika nuk do të jetë kurrë një vend socialist. Nëse doni siguri për familjen tuaj dhe komunitetin tuaj, ju duhet të votoni kundër çdo demokrati dhe të votoni për republikanët në fletët e votimit.

76-vjeçari iu kujtoi të pranishmëve edhe njëherë se ai do të njoftojë së shpejti se do të rikandidojë për president në 2024.

Trump: Dhe tani për ta bërë vendin tonë të suksesshëm, të sigurt dhe të lavdishëm, ndoshta do të më duhet ta bëj sërish. Qëndroni në pritje.

Megjithëse qarkullojnë thashetheme për një rivalitet mes tyre, Trump u kërkoi republikanëve që të rizgjidhnin guvernatorin e Floridas Ron Desantis.

Trump: Ju do të rizgjidhni mikun tim të mrekullueshëm, Marco Rubio në Senatin e Shteteve të Bashkuara dhe do të rizgjidhni Ron DeSantis si guvernatorin tuaj.

Zgjedhjet afatmesme mbahen të martën.

Përmes tyre pritet të zgjidhet Dhoma e re e Përfaqësuesve që aktualisht udhëhiqet nga demokratët dhe 35 nga 100 senatorë.

Po ashtu 39 guvernatorë, dhjetëra sekretarë shtetesh e prokurorësh janë në garë.

Sondazhet favorizojnë republikanët në të gjitha postet.