Jeremiç i ndalohet hyrja në Kosovë, Gërvalla: Evropa e SHBA-ja t’i vëzhgojnë veprimet e Serbisë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë i ka ndaluar këtë të shtunë hyrjen në Kosovë Vuk Jeremiçit, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryediplomatja Donika Gërvalla, duke thënë se mbështetja e Jeremiqit në Parlamentin serb për atë që e kanë quajtur ‘riintegrim’ i Kosovës së pavarur në Serbi, është i ngjashëm me planin e Putinit për ‘riintegrimin’ e Ukrainës – pra “një recetë për luftë”.
“Kosova nuk do të tolerojë urrejtjen dhe agresionin ndaj një shteti evropian dhe demokratik”, ka shkruar Gërvalla në Facebook, ndërsa u ka bërë thirrje Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të vëzhgojnë me vëmendje veprimet e klasës politike në Serbi dhe në rajon.
“Radikalizimi i ish-drejtuesit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është vetëm një paralajmërim më shumë se oreksi i Serbisë dhe Rusisë për territore nuk është ngopur ende”, ka shtuar ajo.
Gërvalla thotë se Rusia dhe Serbia nuk do të ndalen së krijuari gjithnjë e më shumë tensione në Ballkan “për aq kohë sa SHBA-ja dhe Evropa nuk dërgojnë sinjale të qarta dhe të fuqishme duke kërkuar me këmbëngulje zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për krizat dhe paqëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor, pra duke kërkuar nga Serbia njohjen e realitetit të ri në Ballkan pas luftërave të saj shkatërruese”.
Në fund, kryediplomatja thekson se Kosova është dhe do të mbetet e pavarur dhe sovrane, përkrahëse e fortë e perspektivës evropiane dhe NATO-s dhe në kufi me Serbinë.
“Kosova dhe fqinjët e tjerë të Serbisë, të cilët ende nuk janë anëtarësuar në BE, as nuk janë sferë e ndikimit të Serbisë, dhe as nuk do të "riintegrohen" ndonjëherë në "Botën Serbe" të Vuçiçit dhe Putinit”, ka përfunduar Gërvalla.
The MFAD of the Republic of Kosova has stopped former Serbian MFA Jeremić from entry into Kosova. Jeremić's support for "reintegration" of independent and sovereign Kosova into Serbia is similar to Putin's “reintegration” plan for Ukraine - it's a recipe for war. pic.twitter.com/gGvkSKq780
— Donika Gërvalla-Schwarz (@gervallaschwarz) November 5, 2022
