Kina dhe Gjermania kundër përdorimit të armëve bërthamore

Kancelari gjerman Olaf Scholz u takua me presidentin kinez Xi Jinping; është lideri i parë i G7 që viziton Pekinin që nga fillimi i pandemisë Covid-19 në 2020.

Xi u takua me Scholz-in në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin.

Gjermania dhe Kina janë kundër përdorimit të çdo arme bërthamore në luftën në Ukrainë tha kancelari gjerman Olaf Scholz kur u takua me mediat në Pekin pas takimeve me Presidentin Xi Jinping dhe Kryeministrin Li Keqiang.

Scholz i kërkoi Xi-t të përdorte "influencën e tij mbi Rusinë" për t'i dhënë fund "luftës së agresionit" kundër Ukrainës.

Lidhur me çështjen e flaktë të Tajvanit, kreu i qeverisë gjermane përsëriti se Gjermania, ashtu si Shtetet e  Bashkuara dhe shumë vende të tjera të botës, ndjek politikën e Kinës së vetme. 

Nga ana e tij, Xi i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të "refuzojë përdorimin dhe kërcënimin e armëve bërthamore" për të parandaluar një "krizë në kontinentin euroaziatik", në vërejtjet e tij më të drejtpërdrejta mbi nevojën për të parandaluar përshkallëzimin e luftës ruse në Ukrainë.