Putin pezullon marrëveshjen e eksportit të grurit në Detin e Zi

Një sulm i diskutueshëm ukrainas ndaj flotës ruse ka bërë që presidenti Putin të heqë dorë përkohësisht nga marrëveshja për eksportin e grurit. Ukraina shprehet se është e pafajshme dhe kjo provohet edhe nga OKB, ndërsa DASH thotë se vendimi i Kremlinit mund të nxisë urinë nëpër botë.

Presidenti Putin tha se Rusia po pezullon por nuk e përfundon pjesëmarrjen e saj në një marrëveshje që lejon kalimin e sigurt për anijet që transportojnë eksportet e grurit ukrainas.

Moska u tërhoq nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga OKB të shtunën, duke pretenduar se Ukraina kishte përdorur një korridor sigurie në Detin e Zi për të sulmuar flotën e saj.

"Dronët ukrainas krijojnë një kërcënim, si për anijet tona ashtu edhe për ato civile, dhe ne duhet të garantojmë sigurinë e anijeve civile. Kjo është arsyeja pse ne nuk themi se po ndalim pjesëmarrjen tonë në këtë operacion por po themi se po e pezullojmë," tha ai.

Nga Moska thanë se vendimi për pezullimin e marrëveshjes për eksportin e grurit ndjek një sulm të cilin Rusia e quajti terrorist në Sevastopul.

OKB thotë se nuk kishte anije brenda korridorit atë natë.

Ukraina nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se marrëveshja do të respektohej dhe akuzoi Rusinë për shantazhimin e botës me uri një pretendim që Rusia e mohon.

Pavarësisht nga pasojat, 12 anije që përmbanin 354,500 ton ushqim, përfshirë grurin, u larguan nga portet e Detit të Zi të Ukrainës të hënën, tha ministria e infrastrukturës e Ukrainës.

Ky përbënte një vëllim rekord të eksporteve që nga fillimi i marrëveshjes së grurit.

Departamenti i Shtetit shprehu keqardhjen për vendimin e Moskës e cila rrezikon urinë në botë.

"Vendimi i Rusisë ka ndikime të menjëhershme në sigurinë globale të ushqimit. Rusia duhet të kthehet në pjesëmarrjen e plotë në iniciativë dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të bien dakord me shpejtësi. Çdo akt i Rusisë për të penguar eksportet e drithërave do të ishte shpërfillje për njerëzit dhe familjet në mbarë botën të cilët do të paguajnë më shumë për ushqim ose do të mbeten të uritur," tha ai.

Ministria e infrastrukturës shtoi se një nga anijet që transportonte 40,000 tonë drithë ishte e destinuar për në Etiopi, ku ekzistonte "mundësia reale e urisë masive".